Bëhuni gati për 40°C! Vala afrikane e të nxehtit mbërthen Shqipërinë deri në fundjavë

Ndryshimet klimatike kanë zbehur kuptimin e shprehjes së vjetër “gusht e gunë”, pasi vendi do të përfshihet sërish nga një valë e fuqishme të nxehti afrikan.

Duke filluar nga fundjava, temperaturat do të rriten ndjeshëm në të gjithë territorin.

Sipas sinoptikanit Hakil Osmani , dy qarqet më të nxehta do të jenë Elbasani dhe Berati, ku termometri do të shënojë deri në 40°C në hije.

Temperatura të larta do të regjistrohen edhe në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër, ku pritet të arrijnë në 39°C, ndërsa në pjesën tjetër të ultësirës perëndimore do të luhaten mes 36–38°C.

Vala e të nxehtit pritet të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme, duke rritur ndjeshëm ndjesinë e përvëlimit në qytete dhe rrethe.

Këshilla për qytetarët:

Ekspertët këshillojnë shmangien e daljes në diell në oraret e pikut (11:00–17:00), hidratim të vazhdueshëm dhe veshje të lehta.