
Zbardhet e shkuara e Frrok Lleshajt, ish-polici i vrarë në Vaun e Dejës – arratisje nga burgu në ’97 pas një vrasjeje
Detaje të reja janë zbardhur pas vrasjes së 65-vjeçarit Frrok Lleshaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Burime pranë hetuesisë bëjnë me dije se viktima ka një të kaluar të ngarkuar me precedentë penalë dhe përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale në vitet ’90.
Frrok Lleshaj ka qenë ish-efektiv policie në fillim të viteve ’90, por në atë kohë akuzohet se ka kryer një vrasje. Ai u arrestua për këtë ngjarje, por në vitin e trazuar 1997, përfitoi nga kaosi dhe u arratis nga burgu.
Arratisja zgjati për disa vite, derisa në vitin 2006 ai u kap dhe u dënua me 25 vite burg për vrasjen e një kushëriri të tij. Megjithatë, ai vuajti rreth 21 vite të dënimit dhe u lirua në vitin 2023. Vetë Lleshaj nuk e ka pranuar kurrë autorësinë e ngjarjes për të cilën u dënua.
Vetëm dy vite pas daljes nga burgu, ai është qëlluar për vdekje pranë banesës së tij. Dyshimet e para të policisë janë për një konflikt të vjetër ose gjakmarrje, por grupi hetimor po heton të gjitha pistat, përfshirë edhe ndonjë hakmarrje të vonuar për ngjarjen e dikurshme.
Policia po vijon grumbullimin e dëshmive dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë për të identifikuar autorin ose autorët e mundshëm të këtij atentati. Ndërkohë, banorët e zonës janë tronditur nga ngjarja, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi.
Hetimet janë në vijim.