India nën akuza: SHBA e Trump e qorton ashpër për financimin e luftës ruse përmes blerjes së naftës

India është vënë në qendër të kritikave të Shteteve të Bashkuara për blerjen e naftës nga Rusia, një veprim që sipas Uashingtonit përkrah drejtpërdrejt luftën e Moskës në Ukrainë.

Akuza u artikulua nga Stephen Miller, zëvendësshef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë dhe një nga këshilltarët më të afërt të presidentit Donald Trump, i cili foli për Fox News duke i dërguar një mesazh të prerë Nju Delhit.

“Ajo që Presidenti Trump tha shumë qartë është se është e papranueshme për Indinë të vazhdojë financimin e kësaj lufte duke blerë naftën ruse. Njerëzit do të jenë të shokuar të mësojnë se India është praktikisht e lidhur me Kinën në këtë tregti. Ky është një fakt befasues,” u shpreh Miller.

Ai theksoi se është kontradiktore që India e paraqet veten si një nga aleatët më të ngushtë të SHBA, ndërkohë që refuzon produktet amerikane dhe mbështet ekonomikisht Kremlinin.

Këto komente janë ndër më të ashpërit që kanë ardhur deri më tani nga administrata Trump, duke tronditur marrëdhëniet me një prej partnerëve kryesorë të SHBA në rajonin indo-paqësor.