
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Policia e Vlorës dhe Sarandës ka dokumentuar dhe proceduar disa raste të ndryshme penale në 24 orët e fundit, duke ndaluar autorët dhe sekuestruar prova materiale.
Në Vlorë, pas verifikimeve me pamje filmike të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në lagjet “10 Korriku” dhe “Pavarësia 2”, u arrestua në flagrancë I. H., 32 vjeç, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Ky shtetas, për motive të dobëta, u konfliktua me dy persona të cilët i goditi me thikë. Të dëmtuarit, M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe autori mori ndihmë mjekësore. Thika e përdorur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po në Vlorë, u procedua penalisht F. Z., 36 vjeç, pasi u konstatua se kishte vendosur pa leje tavolina e karrige në hapësirë publike, në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Në Sarandë, më 1 gusht, rreth orës 10:00, në fshatin Metoq, u përfshi nga flakët godina e një thertoreje, pronë e M. Gj., 45 vjeçe. Zjarri shkaktoi dëme të vogla materiale. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Specialistët e trafikut arrestuan në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur:
- A. B., 25 vjeç, në rrugën “Butrinti”, Sarandë;
- K. V., 28 vjeç, në rrugën “Abedin Dino”, Sarandë.
Po në Sarandë, u procedua penalisht E. B., 34 vjeç, nga Delvina, pasi u përplas me një mopat elektrike që drejtohej nga një i mitur 15-vjeçar. I mituri pësoi lëndime të lehta dhe u largua pas ndihmës mjekësore.
Të gjitha materialet i janë referuar Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.