Korçë/ Thyen xhamat e bashkisë dhe poston videon online, arrestohet 27-vjeçari

Korçë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Korçës, ku një 27-vjeçar ka thyer me gurë xhamat e godinës së Bashkisë dhe më pas ka publikuar videon e veprimit në rrjetet sociale, duke përdorur edhe gjuhë fyese.

Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin K. D., banues në Korçë, i cili dyshohet se rreth orës 02:15 të datës 3 gusht, ka dëmtuar me dashje pronën publike dhe ka promovuar veprimin e tij në rrjete sociale.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Korçës vijon punën për parandalimin e akteve të tilla dhe apelon qytetarët të respektojnë rendin publik dhe pronën shtetërore.