Divjakë e Mallakastër/ Dy të arrestuar për zjarrvënie, dogjën ullinj dhe shkurre

DVP Fier

Dy shtetas janë arrestuar nga policia, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në Divjakë dhe Mallakastër, që shkaktuan dëme të konsiderueshme në sipërfaqe toke dhe pemëtari.

Në Divjakë u arrestua 65-vjeçari K. A., banues në fshatin Korije, i cili kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë të marrë me qira, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën 170 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.

Në Mallakastër, u vunë në pranga 41-vjeçari P. J., banues në fshatin Belishovë. Ai kishte ndezur zjarr për të pastruar ferrat në tokën e tij, por zjarri u përhap dhe dogji një sipërfaqe me shkurre.

Arrestimet u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Divjakës dhe Mallakastrës, në kuadër të hetimeve për dokumentimin e rasteve të zjarrvënies dhe ndëshkimin e autorëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

Policia e Fierit apelon qytetarët që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, pasi kjo përbën vepër penale. Çdo rast i tillë mund të denoncohet në numrin 112, me garanci për anonimat dhe reagim të shpejtë nga strukturat policore.