
Një shpërthim i fuqishëm vullkanik ka ndodhur sot në malin Levotobi Laki-Laki, në provincën Nusa Tenggara Lindore të Indonezisë, duke ngritur një re të dendur hiri mbi 10 kilometra në atmosferë.
Lajmi u konfirmua nga Agjencia Vullkanologjike Indoneziane, e cila ka regjistruar disa shpërthime të njëpasnjëshme në këtë zonë gjatë muajve të fundit. Ndër më të fortët, ishte ai i fillim korrikut, ku kolona e hirit arriti deri në 18 kilometra lartësi, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit ajror në dhe nga ishulli i njohur turistik i Balit.
Për shkak të aktivitetit të shtuar, autoritetet kanë lëshuar alarmin vullkanik, duke u kërkuar banorëve dhe vizitorëve të qëndrojnë të paktën 6–7 kilometra larg kraterit, për të shmangur rrezikun nga shpërthimet e mëtejshme apo rrjedha e baltës, sidomos në rastet e reshjeve të dendura të shiut që mund të ndodhin në zonë.
Shërbimet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri, ndërsa autoritetet vendore po monitorojnë vazhdimisht situatën, për të garantuar sigurinë e komuniteteve përreth dhe për të mbajtur nën kontroll ndikimin në fluturimet civile dhe ndërkombëtare.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë e njohur për aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, ku ndodhen mbi 120 vullkane aktivë.