
Një video tronditëse e publikuar në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të forta, pasi tregon një çift prindërish në Korçë duke ushtruar dhunë ndaj vajzës së tyre të mitur. Në pamje, ata shfaqen duke e tërhequr me forcë dhe kapur për flokësh, në një akt të dhunshëm dhe të papranueshëm.
Policia e Korçës reagoi menjëherë, duke identifikuar autorët. Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për një grua shqiptare me pasaportë holandeze dhe një burrë me origjinë turke, gjithashtu me nënshtehtësi holandeze.
Të dy janë proceduar penalisht për dhunë ndaj të miturit, ndërsa gjatë marrjes në pyetje kanë pretenduar se vajza këmbëngulte për të blerë lodra dhe refuzonte të largohej pa to – sjellje që, sipas tyre, “i detyroi” të vepronin në atë mënyrë.
Ngjarja ka ngritur shqetësim për trajtimin e fëmijëve në publik dhe ka rikthyer vëmendjen te nevoja për ndërhyrje më të forta ligjore dhe sociale ndaj dhunës familjare.