BE kritikon ndryshimet në Kodin Penal: Rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe medias, disa nene nuk përputhen me standardet europiane

Bashkimi Europian ka shprehur sërish shqetësimin e tij për ndryshimet e propozuara në Kodin e ri Penal të Shqipërisë, duke paralajmëruar për ndikim negativ në liritë themelore të qytetarëve.

Në një reagim të dytë brenda ditës për “Top Channel”, zyra e BE-së në Tiranë u shpreh se disa prej dispozitave të propozuara nga grupi i punës mund të cenojnë lirinë e shprehjes dhe të medias, si dhe nuk përputhen me standardet e Bashkimit Europian.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias”, thuhet në deklaratë.

BE nënvizon se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që hartoi propozimet, por është në dijeni të shqetësimeve serioze të shprehura nga përfaqësues të drejtësisë dhe të shoqërisë civile.

Një nga nenet që ka ngjallur debat është ai që parashikon dënim për komentet në rrjete sociale para shpalljes së një vendimi gjyqësor, si dhe penalizimi për publikimin e sekreteve të hetimit – dispozita që konsiderohen në kundërshtim me parimet e transparencës dhe të drejtës për informim.

Zyra e BE-së në Tiranë shprehet e gatshme të ofrojë ndihmë teknike, duke theksuar se rishikimi i Kodit Penal është një proces kompleks, me ndikim afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë.

“Në periudhën afatshkurtër, BE-ja inkurajon Shqipërinë të përqendrohet te ato ndryshime që janë vërtet të nevojshme për përmbushjen e standardeve ndërmjetëse për anëtarësimin, si dekriminalizimi i shpifjes apo rishikimi i kuadrit ligjor për luftën kundër trafikut të drogës, qenieve njerëzore, pastrimit të parave dhe krimeve të tjera serioze,” përfundon reagimi.

Ky reagim shton presionin ndërkombëtar mbi autoritetet shqiptare për të zhvilluar një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me vlerat europiane në reformimin e legjislacionit penal.