Tragjedi ajrore në Venezuelë/ Rrëzohet avioni ushtarak, 7 të vdekur dhe 3 të mbijetuar

Një tjetër tragjedi ajrore ka ndodhur këtë të mërkurë në Venezuelë, ku një avion ushtarak është rrëzuar gjatë një fluturimi në drejtim të një komuniteti indigjen në rajonin e Amazonës.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtatë persona, mes tyre bashkëpiloti dhe pasagjerë të tjerë. Tre persona u nxorën të gjallë nga rrënojat, mes tyre edhe kapiteni i avionit.

Avioni i tipit Cessna C-208B u rrëzua rreth 14 kilometra larg aeroportit që i shërben qytetit Puerto Ayacucho, në jug të vendit. Në bord ndodheshin edhe anëtarë të komunitetit indigjen Yanomami, të cilët po transportoheshin drejt fshatit Parima B.

Ushtria venezuelase konfirmoi se hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit kanë nisur, ndërsa autoritetet shprehën ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre.