Drafti i ri i Kodit Penal/ Deri në 2 vite burg për makinën pa kolaudim ose me ndotje të lartë

Në draftin e Kodit të ri Penal, të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikohen ndryshime të rëndësishme që prekin drejtuesit e mjeteve motorike.

Sipas njërit prej neneve të propozuara, moskryerja e kontrollit teknik (kolaudimit) të automjetit, ose kryerja e tij në kundërshtim me ligjin, do të konsiderohet kundërvajtje penale, e dënueshme me gjobë ose deri në dy vite burg.

Në draft thuhet konkretisht:

“Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike, apo kryerja e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nga personi që ka për detyrë ta kryejë atë, kur sjell ose përbën rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor, përbën kundërvajtje penale.”

Po ashtu, në të njëjtin nen parashikohet dënim edhe për rastet kur një automjet sjell ndotje të ajrit, ujërave apo tokës mbi normat e lejuara.

Këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit, ndërsa pritet të diskutohen në Kuvend për miratim përfundimtar.