
Bashkimi Europian ka konfirmuar se Entry/Exit System (EES), një sistem i ri digjital për kontrollin kufitar, do të hyjë në fuqi më 12 tetor 2025, duke ndikuar të gjithë shtetasit jo të BE-së, përfshirë edhe britanikët.
Sistemi do të implementohet gradualisht për një periudhë 6-mujore në të 29 vendet e zonës Schengen dhe vendet e tjera pjesëmarrëse. EES do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave për udhëtarët afatshkurtër dhe do të regjistrojë hyrjet dhe daljet e tyre në mënyrë digjitale.
Çfarë ndryshon për udhëtarët?
- Gjatë kalimit të kufirit për herë të parë, udhëtarët do të duhet të japin ose shenjën e gishtave, ose një verifikim të fytyrës.
- Nuk do të jetë më e nevojshme vulosja e pasaportës.
- Të dhënat biometrike do të ruhen për arsye sigurie dhe për të kontrolluar qëndrimet e lejuara.
Qëllimi i sistemit është të përshpejtojë hyrjet për udhëtarët e rregullt, të luftojë migracionin e paligjshëm dhe të ndihmojë autoritetet në verifikimet kufitare.
Ndërkohë, kioska dhe pajisje digjitale janë duke u instaluar në terminalin Eurostar në Londër dhe në Portin e Doverit, si dhe në pika të tjera kufitare të BE-së për pasagjerët që udhëtojnë me makinë, autobus apo kamion.