
Pas njoftimit për mbylljen e hetimeve nga SPAK, deputetja Monika Kryemadhi u përball me pyetje të gazetarëve në lidhje me një koment thumbues që i atribuohet Ilir Metës, ku ajo krahësohej me deputeten socialiste Zegjine Çaushi.
Kryemadhi mohoi që deklarata të kishte ardhur nga vetë Meta, duke theksuar se ai nuk ka akses në internet në qelinë ku ndodhet. Sipas saj, komentet janë bërë nga zëdhënësi Tedi Blushi, të cilin ajo e ironizoi hapur.
“Nuk e di nëse Meta ka internet në burg, por transmetuesi i kësaj është fansi i garderobës time, nëpërmjet vjehrrit të vet, se ai e frymëzon… ua njoh rracën të gjithëve, për fat të mirë,” – tha Kryemadhi.
Në një koment më të butë, ajo u ndal edhe te marrëdhënia e saj personale me Metën, duke shtuar:
“Mua më vjen keq për këtë histori, për këtë situatë. Sigurisht, kam përgjegjësitë e mia si nënë e fëmijëve të tij dhe bashkëshorte. Nuk e shoh të arsyeshme t’i tregoj Metës marrëdhëniet e mia shoqërore.”
Replikat vijnë në një moment të ngarkuar për çiftin politik, mes hetimeve, tensioneve publike dhe ndarjes së rrugëve jo vetëm politike, por edhe personale.