
Një tërmet shkatërrues me magnitudë 8.8 ballë ka tronditur rajonin e Paqësorit, duke shkaktuar një cunami të fuqishëm që ka prekur tashmë bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara dhe ishujt e Havait. Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), valët e para janë regjistruar në Crescent City të Kalifornisë, me një lartësi rreth 30 cm, por autoritetet paralajmërojnë se priten valë më të mëdha dhe me rrezik më të lartë.
Alarmi për cunami është dhënë përgjatë një segmenti prej 160 kilometrash në bregun verior të Kalifornisë, një zonë e njohur për rrezikshmërinë e saj për shkak të relievit nënujore që përforcon goditjen e valëve. Ekipet e emergjencës janë vendosur në gadishmëri maksimale, ndërsa evakuimet në komunitetet bregdetare vijojnë me intensitet.
Në ishujt e Havait, paniku ka përfshirë banorët dhe turistët. Bllokime trafiku janë raportuar në Maui, ndërsa në Honolulu dhe Oahu, bregdetet janë boshatisur nën sinjalet e sirenave të emergjencës. Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor ka konfirmuar valë të fuqishme prej 1.74 metrash në Kahului dhe 1.5 metra në Hilo.
Ambasada shqiptare në Tokio ka publikuar një njoftim për shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e rrezikut, duke i bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës në Kaliforni dhe Havai janë të angazhuara në monitorimin dhe minimizimin e pasojave të mëtejshme të këtij cunami.
Situata mbetet e pasigurt dhe autoritetet paralajmërojnë se valë të tjera mund të godasin në orët në vijim.