Arrestohet në Rinas anëtari i një grupi kriminal, kërkohej për kontrabandë mallrash me akcizë

Një operacion i koordinuar mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Sektorit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar ka çuar në arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për Gëzim Stërkeshin, 57 vjeç, banues në Shqipëri, i cili u ndalua teksa tentonte të hynte në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Rinasit. Ndaj tij ishte lëshuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO).

Sipas të dhënave zyrtare, Stërkeshi dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të angazhuar në kontrabandën e mallrave me akcizë, duke dëmtuar tregun e ligjshëm dhe ekonominë shtetërore.

Arrestimi i tij është pjesë e një serie operacionesh të nisura nga autoritetet për goditjen e fenomeneve të krimit ekonomik dhe financiar.

Pas ndalimit, 57-vjeçari iu dorëzua autoriteteve gjyqësore dhe materialet u referuan pranë SPAK për procedim të mëtejshëm penal.