Ambasada shqiptare në Tokio apel shtetasve pas alarmit për cunami: Ndiqni udhëzimet zyrtare të Japonisë

Pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi Lindjen e Largët të Rusisë, Japonia është vënë në alarm për cunami, veçanërisht në rajonet bregdetare si Hokkaido dhe Ishujt Kurile.

Për shkak të situatës së krijuar, Ambasada e Shqipërisë në Tokio ka dalë me një njoftim urgjent për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Japoni. Ajo u bën thirrje të ndjekin me përpikmëri udhëzimet zyrtare të autoriteteve japoneze, si dhe çdo masë sigurie që lidhet me emergjencën e cunamit.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Japoni këshillon të gjithë shtetasit shqiptarë të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare të autoriteteve japoneze dhe të respektojnë me përpikmëri çdo udhëzim që lidhet me sigurinë personale në zonat e prekura,” – thuhet në deklaratë.

Ambasada gjithashtu apelon që qytetarët të qëndrojnë të informuar në kohë reale përmes burimeve të besueshme, si televizioni publik NHK, aplikacionet e emergjencës dhe kanalet zyrtare të qeverisë japoneze.

Sipas mediave vendase, lëvizja e ujërave dhe dallgët e mundshme kanë shtyrë autoritetet të shpallin gjendje gatishmërie në disa rajone. Janë raportuar evakuime në zona të rrezikuara, ndërsa rreziku për cunami mund të prekë edhe pjesë të Alaskës dhe Hawait.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa qytetarët dhe të huajt këshillohen të shmangin zonat bregdetare dhe të ndjekin vetëm informacionet e konfirmuara zyrtarisht.