Alarm në veri të Kosovës? KFOR i gatshëm me 1 mijë trupa shtesë: Situata e qetë, por shumë e brishtë

Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka deklaruar se situata aktuale e sigurisë në vend është përgjithësisht e qetë, por mbetet jashtëzakonisht e brishtë, për shkak të çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Kosovo Online, gjenerali theksoi se KFOR-i është i pozicionuar mirë në terren, dhe se forcat e NATO-s janë të gatshme të reagojnë në çdo moment ndaj një përshkallëzimi të mundshëm të situatës.

“Situata mbetet e ndjeshme për shkak të retorikës nxitëse dhe veprimeve të njëanshme që shpesh perceptohen si provokime. Prioriteti im është të siguroj një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë,” – deklaroi Barduani.

KFOR, autoritet mbi hapësirën ajrore

Gjenerali nënvizoi se sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, Komandanti i KFOR-it ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës dhe çdo lëvizje e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri mund të kryhet vetëm me pëlqimin paraprak të tij, në përputhje me angazhimet ekzistuese NATO–Prishtinë.

“FSK-ja nuk mund të vendoset në veri pa miratimin tim. Ky është një rregullim i qartë në marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe autoriteteve të Kosovës,” – tha Barduani.

1 mijë trupa shtesë, të gatshëm për çdo emergjencë

Duke përmendur gatishmërinë e KFOR-it për çdo skenar, Barduani bëri të ditur se NATO ka përgatitur një forcë të posaçme rezervë prej 1,000 trupash, të gatshëm për t’u vendosur në Kosovë nëse gjendja e sigurisë përkeqësohet.

“Me 4,600 trupa nga 33 shtete të NATO-s dhe partnere, KFOR-i është në gjendje të plotë operacionale. Nëse do të nevojitet përforcim urgjent, kemi në dispozicion edhe Forcën e Reagimit Aleat të sapokrijuar me 1,000 trupa,” – përfundoi gjenerali.