Alarm në Itali – 5 viktima nga Virusi i Nilit, nis dezinsektimi masiv në rajonet më të prekura

Autoritetet italiane kanë shpallur alarm shëndetësor pas shtimit të rasteve me Virusin e Nilit Perëndimor, i cili deri më tani ka shkaktuar pesë viktima që nga fillimi i vitit 2025.

Rasti më i fundit u shënua në Napoli, ku një 74-vjeçar nga Pomigliano d’Arco humbi jetën në Spitalin “Ospedale del Mare”. Viktima vuante nga sëmundje të rënda shoqëruese, përfshirë insuficiencë renale dhe çrregullime të vetëdijes.

Raste të tjera vdekjeje janë raportuar në rajonin e Lazios, ku një 77-vjeçar me një transplant të zemrës ndërroi jetë, si dhe në Campania, ku u konfirmua edhe humbja e jetës së një 80-vjeçari nga Maddaloni.

Aktualisht, në spitalin e Casertës po trajtohet një tjetër pacient me simptoma të virusit, ndërkohë që autoritetet shëndetësore kanë nisur dezinsektimin intensiv të zonave të prekura, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Virusi i Nilit transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe në shumicën e rasteve shkakton simptoma të lehta si ethe, lodhje dhe dhimbje koke, por mund të jetë fatal për personat me sisteme imunitare të dobësuara ose me sëmundje të tjera të rënda kronike.

Ministria e Shëndetësisë në Itali u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse individuale dhe të shmangin ekspozimin në ambientet me praninë e mushkonjave, sidomos në orët e mbrëmjes.