
Një aksident i rëndë me pasojë dy viktima dhe dy të plagosur ka ndodhur sot rreth orës 14:15 në aksin rrugor Borsh – Plazh.
Dy mjete, një furgon tip Benz dhe një foristradë po ashtu Benz, janë përplasur me forcë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të furgonit dhe bashkëshortes së tij. Identiteti i viktimës femër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër dhe një pasagjer kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spitalin e Sarandës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është nën monitorim.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik.