
Tiranë – Qytetari denoncon: “Raiffeisen Bank më tërhoqi para nga karta e kreditit pa më njoftuar, një muaj më parë”.
Një qytetar ka denoncuar publikisht një praktikë të paqartë nga Raiffeisen Bank, e cila sipas tij i ka mbajtur një shumë prej 1,000 lekësh nga karta e tij e kreditit pa asnjë njoftim paraprak dhe pa kryer asnjë veprim nga ana e tij.
Sipas denoncuesit, në datën 10 korrik 2025, gjatë një kontrolli të zakonshëm në panelin online të llogarisë së tij, ka vënë re se gjendja e kartës ishte ulur nga 100,000 lekë në 99,000 lekë.
Në dëshminë e tij, qytetari tregon se ka hapur një kartë krediti në vitin 2022 për përdorim të përkohshëm dhe e ka mbajtur të hapur për raste emergjente. Sipas tij, për shkak të komisioneve të larta të kartës, ai kishte ndaluar përdorimin e saj dhe nuk kishte kryer asnjë transaksion që nga janari 2025.
Ai ka siguruar edhe statement-in e kartës që provon mungesën e aktivitetit financiar në kartë, ndërsa tërheqja e shumës është bërë pa autorizim dhe pa paralajmërim.
Çështje që ngre denoncimi:
- Transparenca e bankës në lidhje me komisionet apo tarifat e mirëmbajtjes.
- Njoftimi paraprak i klientit për çdo lëvizje nga llogaria.
- Praktikat e ndershme bankare, në përputhje me të drejtat e konsumatorit.
Raiffeisen Bank nuk ka dhënë ende një reagim publik mbi këtë rast konkret, ndërsa pritet që klienti të ndjekë rrugën zyrtare të ankesës pranë bankës, Bankës së Shqipërisë apo Komisionerit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Qytetarët që kanë pasur përvoja të ngjashme ftohen të jenë të vëmendshëm me llogaritë e tyre dhe të kontrollojnë regullisht transaksionet, si dhe të kërkojnë sqarime me shkrim në rast të tërheqjeve të pashpjeguara.