
Tiranë/Durrës – Sekuestrohen pasuri miliona lekëshe ndaj Ervis dhe Burim Ferizajt, si dhe Përparim Kalbajt. Gjykata e Posaçme vendos masën e sigurisë pasurore.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është vendosur masa e sigurisë pasurore “sekuestro preventive” për një sërë pasurish që dyshohet se janë produkte të aktivitetit kriminal.
Në listën e sekuestrimeve përfshihen:
Pasuritë e sekuestruara ndaj
Ervis dhe Burim Ferizaj
:
- Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me NIPT M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, së bashku me të gjitha asetet e saj.
- Njësi tregtare, me sipërfaqe 161.67 m², pasuri nr. 3/8-N6, në zonën kadastrale 8210, në emër të shtetasit E.F., përfituar më 30.01.2017 me vlerë 200,000 euro.
- Vilë 2 kate në Lalëz, Durrës, me sipërfaqe 140 m² ndërtim dhe 162.85 m² truall, pasuri nr. 169/77, në emër të E.F., blerë më 19.12.2019 me çmim 80,000 euro.
- Shuma monetare prej 77,160 franga zvicerane, të sekuestruara si pasuri të dyshuara nga burime të paligjshme.
Pasuritë në zotërim të
Përparim Kalbajt
Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me NIPT L91307007H, si dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi ose përdorim të kësaj shoqërie.
Vendimi për sekuestro vjen si pjesë e një hetimi të zgjeruar për pastrim parash dhe aktivitete kriminale, ku autoritetet dyshojnë se pasuritë janë përfituar nga veprimtari të paligjshme në fushën ekonomike dhe të krimit të organizuar.
Hetimet vijojnë nga Strukturat Hetimore të SPAK dhe njësitë përkatëse të Policisë së Shtetit, për të zbuluar çdo lidhje dhe rrjet pasuror të dyshuar.
Masat parandaluese janë pjesë e luftës kundër pasurive të përfituara nga krimi dhe tentativave për t’i ligjëruar ato përmes bizneseve apo investimeve në prona luksoze.