Lushnjë – Kapet në flagrancë teksa tentonte të vidhte një “BMW”, arrestohet 48-vjeçari me precedent penal

Një 48-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar në flagrancë nga Policia e Lushnjës, gjatë tentativës për të vjedhur një automjet tip “BMW”, në lagjen “Çlirimi”.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur shtetasi G. K., banues në Tiranë, po ndërhynte në centralinën e automjetit me qëllim për ta vjedhur. Ai u pikas nga pronari i makinës, i cili njoftoi menjëherë Policinë. Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Lushnjës, që ndodhej pranë zonës, reagoi me shpejtësi dhe arrestoi autorin në vendngjarje.

Gjatë kontrollit, u sekuestruan mjetet që ai përdorte për të ndërhyrë në sistemin elektronik të automjetit.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin G. K., 48 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë.

Ndaj tij kanë nisur hetime të mëtejshme, pasi dyshohet se mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme vjedhjesh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.