SHBA: Një burrë i armatosur vrau 4 persona, përfshirë një oficer NYPD, në Midtown Manhattan. Autori vrau veten. Hetimet në vazhdim

Një 27-vjeçar i armatosur me një pushkë M4 dhe i veshur me jelek antiplumb ka qëlluar për vdekje katër persona, përfshirë një oficer policie jashtë shërbimit që punonte si roje sigurie në një ndërtesë zyrash në Midtown Manhattan – njoftuan autoritetet gjatë një konference për shtyp të hënën në mbrëmje.

Sipas policisë, një viktimë e pestë ndodhet në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në ndërtesën në adresën 345 Park Avenue dhe 52nd Street, ku ndodhen zyrat e kompanisë Blackstone dhe të NFL (Liga Kombëtare e Futbollit Amerikan). Nuk është e qartë nëse ndonjë prej këtyre institucioneve ishte objektiv i sulmit.

Autori, i identifikuar si Shane Devon Tamura, banues në Las Vegas, besohet se u vetëvra në katin e 33-të pasi u barrikadua atje. Ai kishte licencë për armë të fshehtë në shtetin Nevada dhe dyshohet të ketë udhëtuar me makinë nga Las Vegasi drejt Nju Jorkut vetëm për këtë akt, thanë autoritetet.

Sipas Komisioneres së Policisë së NYPD, Jessica Tisch, sulmuesi doli nga një BMW e parkuar dyfish përpara ndërtesës dhe hyri brenda, ku hapi menjëherë zjarr ndaj një oficeri të NYPD dhe qëlloi në hollin e ndërtesës. Më pas, ai qëlloi një roje sigurie pranë ashensorëve, u ngjit në katin e 33-të, vrau një tjetër person dhe në fund u vetëqëllua në gjoks.

Në makinën e tij, policia gjeti një kuti arme me municion, një revolver të mbushur, karikatorë, një çantë shpine dhe ilaçe të përshkruara në emër të Tamura-s. Motive të qarta ende nuk ka, dhe FBI po bashkëpunon në hetime.