Ekzekutoi partneren 21 vjet më të madhe, lëshohet urdhër arresti për 31-vjeçarin në Pogradec

Pogradec – Vrau partneren 21 vjet më të madhe, Prokuroria e Korçës lëshon urdhër arresti për 31-vjeçarin Ilirjan Selmani.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka lëshuar urdhër arresti për Ilirjan Selmanin, i cili akuzohet si autor i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço, me të cilën kishte një lidhje disa vjeçare.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në banesën e viktimës në Pogradec, ku çifti jetonte prej kohësh. Sipas hetimeve paraprake, Selmani e kishte kaluar edhe atë natë në banesë, si zakonisht, para se të ndodhte krimi.

Gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari ka mohuar autorësinë, por policia dhe prokuroria kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat dokumentojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes – që nga momenti i vrasjes, deri në largimin e autorit nga banesa.

Ilirjan Selmani ndodhej fillimisht në ndalim policor, por me provat e reja të siguruara, Prokuroria ka nxjerrë urdhër të formës së prerë për arrestimin e tij.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e vrasjes, ndërsa policia pritet të zbatojë menjëherë vendimin e organit të akuzës.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të diferencës së madhe në moshë mes çiftit, dhe aktit të rëndë kriminal brenda një marrëdhënieje në dukje të qëndrueshme

Avatar photo
Arveni Avdulaj
29 Korrik, 08:00 | Përditësimi: 29 Korrik, 08:00