Delvinë – Ndërtonin impiant gazi pa leje në tokë publike, arrestohen 2 inxhinierë, pronari dhe administratori në kërkim

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me IKMT-në dhe Inspektoratin e Mjedisit, ka goditur një tjetër rast të ndërtimit të paligjshëm që cenonte territorin dhe sigurinë mjedisore, në qytetin e Delvinës.

Në kuadër të masave për parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe Inspektoratin e Mjedisit, kryen një kontroll në një kompani private që operonte në sektorin e gazit.

Gjatë kontrollit rezultoi se kompania kishte nisur ndërtimin e një impianti gazi (TEC), në një pronë publike, pa leje ndërtimi apo zhvillimi të lëshuar nga autoritetet kompetente.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë:

  • E. M., 31 vjeç, përgjegjës i impiantit të gazit;
  • L. M., 53 vjeç, përgjegjës i kantierit të ndërtimit;

Të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim:

  • S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë;
  • J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë;

Të dy të dyshuar për të njëjtat vepra penale.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka hartuar procesverbalin e kundërvajtjes dhe ka vendosur bllokimin e menjëhershëm të punimeve në këtë objekt.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Vlorës mbetet e vendosur për të mbrojtur territorin, mjedisin dhe sigurinë publike nga çdo veprim i paligjshëm që cenon ligjin dhe të mirën e përbashkët.