Zjarret pushtojnë vendin: Deri në 20 vite burg për zjarrvënësit, 7 të arrestuar në 4 ditë

Shqipëria po përballet me një valë zjarresh që ka përfshirë disa zona të vendit, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar aksionet për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit. Vetëm në katër ditët e fundit janë arrestuar shtatë persona për ndezjen e qëllimshme të zjarreve, ndërsa shtatë të tjerë janë nën hetim, në qytete si Sarandë, Fier, Kurbin, Dibër, Poliçan dhe Shkodër.

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, për zjarrvënësit parashikohen dënime të ashpra, të cilat variojnë nga 2 deri në 20 vite burg, në varësi të rrethanave dhe dëmeve të shkaktuara. Konkretisht:

  • Neni 206/a: Parashikon 5 deri në 8 vite burg për zjarrvënie të qëllimshme në pyje.
    • Nëse zjarri synon ndryshimin e kategorisë së tokës, dënimi shkon deri në 15 vite.
    • Nëse nga zjarri rrezikohet jeta, pronat, shëndeti i njerëzve ose shkaktohen dëme të mëdha në mjedis, dënimi arrin deri në 20 vite burg.
  • Neni 206/b: Parashikon 2 deri në 5 vite burg për zjarrvënie nga pakujdesia.
    • Në rast të dëmeve të rënda, dënimi mund të shkojë deri në 8 vite burg.

Autoritetet po bëjnë thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe raportim të çdo tentative zjarrvënieje, ndërsa strukturat e emergjencës civile po punojnë pa ndërprerje për vënien nën kontroll të flakëve në zonat e prekura.