Tronditje në Pogradec: 52-vjeçarja gjendet e pajetë në banesën e djegur, dyshohet për vrasje me paramendim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit. Kozeta Teço, 52 vjeçe, është gjetur e pajetë në banesën e saj, e cila ishte përfshirë nga flakët. Fillimisht u mendua se shkaku ishte aksidental, por hetimet paraprake të policisë kanë ngritur dyshime serioze për një vrasje të qëllimshme.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, trupi i viktimës ka pasur shenja të jashtme dhune, duke forcuar dyshimet se zjarri është përdorur për të fshehur gjurmët e një krimi makabër. Pista kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt të mundshëm për pronësinë e banesës, ndërsa ngjarja po trajtohet si vrasje me paramendim.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të vendosura pranë vendngjarjes dhe ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje. Dëshmitarë nga lagjja janë gjithashtu pjesë e hetimit, ndërsa pritet përgjigjja e analizave të detajuara nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe kriminalistike.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe durim deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.