Konispol/70-vjeçari ndez zjarr për pastrim, digjen 3.5 ha dhe stallë me bagëti, procedohet penalisht

Si rezultat i hetimeve për zjarrvëniet e qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë referuar materialet procedurale në Prokurori, ndaj shtetasit:

F. M., 70 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol.

Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se më datë 26.07.2025, rreth orës 09:00, ky shtetas ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një sipërfaqeje kullotë në malin e fshatit Markat. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur dhe kanë djegur një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh me barishte dhe shkurre.

Zjarri ka përfshirë edhe territorin e banuar të fshatit, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke djegur një stallë me bagëti të imta (10 krerë dele) dhe një koteç me shpendë.

Për shkak të moshës së avancuar të autorit, procedimi penal po zhvillohet në gjendje të lirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Policia apelon:

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre për asnjë arsye, pasi pasojat janë të rënda dhe të gjithë përgjegjësit do të përballen me ligjin.

Strukturat e Policisë në të gjithë qarkun Vlorë vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të autorëve të zjarrvënieve.