
E pazakontë në Kroaci – Stuhi të forta, përmbytje dhe breshër gjigand godasin disa rajone
Kroacia është përballur me mot ekstrem gjatë orëve të fundit, ku stuhi të fuqishme kanë shkaktuar përmbytje në disa zona, ndërsa në rajonet e Karlovacit dhe Lošinjit është regjistruar breshër me madhësi deri në 5 centimetra, një dukuri e rrallë për zonën në këtë periudhë të verës.
Sipas mediave vendase, sasi të mëdha shiu kanë rënë në ishullin Cres, ndërkohë që mbi qytetin e Rijekës janë shfaqur re të mëdha të zeza, të shoqëruara me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima, bubullima dhe erëra të forta.
Meteorologia Petra Mikuš Jurković nga Instituti Hidrometeorologjik i Kroacisë ka njoftuar se vendi pritet të përballet me dy valë ndryshimesh ekstreme të motit – e para duke nisur që sot dhe e dyta të hënën, më 28 korrik. Të dyja valët shoqërohen me rrezik të lartë për përmbytje.
Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik ka lëshuar një paralajmërim të kuq për zonat e Zagrebit dhe Karlovacit për sot, si dhe për Rijekën në orët e mbrëmjes, duke i bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Situata pritet të mbetet e paqëndrueshme në ditët në vijim, ndërsa autoritetet lokale janë në gatishmëri për të përballuar pasojat e motit ekstrem.