Sarandë – 21-vjeçari kanos me thikë një shtetas dhe e ndjek me makinë, shpallet në kërkim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr. 3 të qytetit të Sarandës, ku një 21-vjeçar ka kanosur me thikë një 41-vjeçar dhe më pas e ka ndjekur me makinë, duke i dëmtuar automjetin.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasin M. B., banues në Sarandë, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Nga hetimet paraprake rezulton se i riu ka kanosur me thikë shtetasin E. B., 41 vjeç, dhe më pas e ka ndjekur me automjetin e tij, duke shkaktuar dëme materiale në makinën që drejtonte viktima.

Pamjet e ngjarjes janë publikuar edhe në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta. Policia ka sekuestruar automjetin e autorit dhe po vijon punën për kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.