Orban: “BE rrezikon të shkatërrohet” – Ja si do ta rindërtoja unë me Evropë me rrathë koncentrikë

Orban paralajmëron: Bashkimi Europian mund të shpërbëhet – Propozon një “Evropë me shumë shpejtësi” dhe rrathë koncentrikë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë ndaj Brukselit, duke thënë se Bashkimi Evropian rrezikon të “shkatërrohet” nëse nuk ndryshon rrënjësisht mënyrën si funksionon.

Gjatë fjalimit të tij vjetor në një shkollë verore në Transilvani të Rumanisë, Orban deklaroi se një model me shumë shpejtësi do të ishte zgjidhja e vetme për të shpëtuar bllokun evropian.

“Nëse do të drejtoja unë Komisionin Evropian, do të kisha ndërtuar një Evropë me rrathë koncentrikë, ku vendet të kishin të drejtë të zgjedhin ritmin dhe fushat e integrimit,” – tha Orban.

Ai propozoi një rreth të parë të fokusuar në siguri, që mund të përfshinte edhe vende si Turqia dhe Ukraina – pavarësisht se Hungaria ka qenë një nga kundërshtaret më të forta të anëtarësimit të Ukrainës.

Ndërsa rrethi i dytë do të përfshinte fushat e integrimit ekonomik dhe zonën Schengen, të cilën Orban theksoi se Hungaria duhet ta ruajë me çdo kusht.

Udhëheqësi hungarez, i njohur për qëndrimet e tij euroskeptike dhe përdorimin e vetos ndaj vendimeve të BE-së, e ka përsëritur edhe këtë herë idenë e rishpikjes së Bashkimit Evropian, duke i dhënë më shumë autonomi shteteve anëtare.

Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të ndryshme në qarqet evropiane, duke rritur tensionet rreth të ardhmes së projektit evropian dhe drejtimit që ai duhet të marrë.