Flakët në Borsh rrezikojnë biznese e turistë! Evakuime masive, rruga Himarë-Sarandë e pakalueshme

Përkeqësohet situata e zjarreve gjatë natës në jug të vendit! Borshi në alarm, evakuohen banorë dhe turistë

Zjarret që kanë përfshirë jugun e Shqipërisë janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë natës, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe pronën në disa zona.

Në Borsh, flakët i janë afruar zonës së plazhit dhe bizneseve përreth, ndërsa rruga kombëtare Himarë-Sarandë, pranë këtij segmenti, është kthyer e pakalueshme.

Autoritetet kanë ndërmarrë masa urgjente, duke evakuuar banorët dhe turistët nga hotelet e zonës, për shkak të rrezikut të lartë që paraqet përhapja e zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka deklaruar se ndërhyrja ajrore me dy helikopterë ka rinisur në Borsh, Piqeras dhe Sasaj, për të frenuar përparimin e flakëve.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri me përmasa të mëdha është regjistruar mbrëmjen e djeshme në malin e Shashicës, në afërsi të fshatit Kaninë. Flakët kanë përfshirë një zonë të gjerë me bimësi të dendur, duke rrezikuar edhe fshatrat Kaninë dhe Sherishtë.

Era e fortë dhe temperaturat ekstreme po e përshpejtojnë përhapjen e zjarreve, duke vënë në rrezik jo vetëm banesat, por edhe stanet dhe gjallesat në zonat malore.

Lidhur me zjarrin në Kaninë, policia ka vënë në pranga një shtetas, E.F., i dyshuar për ndezje të qëllimshme të zjarrit. Ai po hetohet për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.

Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet drejt zonave të prekura dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për sigurinë e tyre.