Prangoset 64 vjeçari, dogji 225 rrënjë ullinjë të konshiut

Fier – Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrëvënies në fshatin Frakull të Vogël.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimit për vatër zjarri në fshatin Frakull e Vogël, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 64 vjeç, banues në fshatin Frakull e Vogël.

Nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij, për djegien e mbeturinave, janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre me qëllim apo nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.