
Një tjetër valë ekstreme të nxehti pritet të godasë Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit në ditët në vijim, duke kulmuar në periudhën 21–26 korrik 2025. Sipas ekspertëve të meteorologjisë, temperaturat do të tejkalojnë 42–44°C në disa zona, vlera këto që janë mbi rekordet historike.
Zonat më të prekura do të jenë Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia Jugore dhe Turqia Perëndimore, ku pritet një anomali termike prej +8 deri në +10°C mbi mesataren e viteve 1991–2020.
Rritje alarmante e temperaturave:
- Gjatë 5 viteve të fundit, temperaturat mesatare në Shqipëri janë rritur me 3–5°C krahasuar me periudhën 1960–1990.
- Viti 2024 shënoi një anomali rekord prej +5.8°C në temperaturat maksimale.
- Edhe vlerat minimale janë rritur ndjeshëm, duke sjellë net të nxehta dhe pa freski.
Rreziqet e valës së të nxehtit përfshijnë:
- Rritje të rrezikut për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
- Shtim i kërkesës për energji elektrike për ftohje.
- Rrezik i lartë për zjarre dhe ndikim në prodhimin bujqësor.
Zgjidhjet e qëndrueshme për të ardhmen:
Ekspertët theksojnë nevojën për investime në hapësira të gjelbra dhe zgjidhje të bazuara në natyrë: pemët urbane, çatitë dhe muret e gjelbërta mund të ulin temperaturat me deri në 8–11°C në qytete dhe të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes gjatë valëve ekstreme të të nxehtit.