Pushime me 0 lekë? Dy miq nga Pogradeci krijojnë “resortin” e tyre në mes të liqenit

Në një kohë kur rrjetet sociale janë mbushur me ankesa për çmimet e larta në plazhet private dhe faturat e kripura të sezonit turistik, dy qytetarë nga Pogradeci kanë zgjedhur një mënyrë origjinale për të shijuar pushimet… pa shpenzuar asgjë.

Në një foto që është bërë virale në rrjet, dy miqtë shfaqen të ulur me karriget e tyre brenda në ujë, të mbrojtur nga një çadër, me një zgarë ku piqet mishi, birrat në dorë dhe asnjë shezllon me çmim të kripur apo muzikë të zhurmshme që prish qetësinë. Me një prekje humori dhe kreativiteti, ata kanë krijuar një ambient relaksues në mes të natyrës – pa fatura, pa stres dhe pa radhë.

Kjo skenë është pritur me shumë pozitivitet dhe komente entuziaste në rrjetet sociale, duke shërbyer si një shembull se nganjëherë pushimet më të bukura nuk kanë nevojë për lukse – mjaftojnë pak ide, një liqen përballë dhe shoqëri e mirë.

Mesazhi është i qartë: deti, liqeni dhe dielli nuk kanë pronarë. Kur çmimet e sezonit nuk përballohen, zgjidhja më e mirë është ta shpikësh vetë parajsën tënde. Dhe këta dy miq nga Pogradeci e bënë pikërisht këtë.