“Digjet” vendi sot: Temperaturat shkojnë deri në 41°C, priten kushte ekstreme të nxehti

Shqipëria po përjeton një tjetër ditë përvëluese nën ndikimin e masave ajrore të nxehta dhe motit të kthjellët. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat pritet të arrijnë kulmin gjatë ditës së sotme, me vlerën maksimale që ngjitet deri në 41°C në disa zona të ulëta të vendit.

Paraditja do të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe diell i fortë, ndërsa pas mesditës priten kalime vranësirash, veçanërisht në zonat malore lindore, por pa reshje. Megjithatë, mbizotëruese do të mbeten kthjellimet dhe lagështira e lartë në ajër, duke rënduar ndjeshëm ndjesinë e vapës.

Temperaturat minimale do të zbresin deri në 13°C në zonat malore, ndërsa në pjesën më të madhe të territorit pritet të tejkalohen 39-40°C, sidomos në qarqet Fier, Elbasan, Berat dhe Shkodër.

Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 30 km/h, duke krijuar një dallgëzim të lehtë në zonat bregdetare (1–2 ballë).

Autoritetet shëndetësore këshillojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut (11:00–17:00), konsumimin e lëngjeve dhe evitimin e aktiviteteve fizike të rënda. Kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.