
Magazinë në Vorë shërbente si qendër falsifikimi për produkte ushqimore të skaduara
Policia ka zbuluar një magazinë në zonën e Vorës, e cila përdorej për të falsifikuar etiketat e skadencës së produkteve ushqimore të përpunuara, të cilat kishin afat përdorimi të kaluar që në janar dhe shkurt të vitit 2025.
Këto produkte riktheheshin më pas në treg, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e konsumatorëve.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan:
- F. D., 38 vjeç, administrator i magazinës;
- A. D., 58 vjeç, magazinier.
Ndërkohë janë proceduar penalisht:
- S. T., 56 vjeç, ortak i subjektit;
- A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.
Nga hetimet rezulton se subjekti, i regjistruar me aktivitet në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të mallrave industriale dhe ushqimore, grumbullonte në mënyrë të paligjshme produkte të skaduara nga tregjet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Më pas, falsifikonte etiketat e skadencës dhe i shiste produktet pa dokumentacion tatimor.
Gjatë kontrollit në magazinë, autoritetet sekuestruan 716 koli dhe dhjetëra kilogramë mallra ushqimore të përpunuara, me afat skadence në janar dhe shkurt 2025, por me data të manipuluara.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për një sërë veprash penale, përfshirë:
- Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale;
- Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve;
- Fshehje e të ardhurave;
- Mospagim i taksave dhe tatimeve;
- Punësim i paligjshëm;
- Importi, prodhimi, shitja apo ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.