
Policia e Burgjeve ka ndërmarrë sot kontrolle të befasishme në institucionet e paraburgimit 313 dhe 302 në Tiranë, në kuadër të një aksioni të gjerë që përfshin të gjitha burgjet e vendit.
Sipas burimeve zyrtare, kontrollet janë zhvilluar për të identifikuar sende të ndaluara në qelitë e paraburgimit, si dhe për të verifikuar kartelat e takimeve të disa të burgosurve. Ky operacion vjen pas skandalit në burgun e Drenovës, ku u zbuluan shkelje të rënda të rregullave të sigurisë.
Në Drenovë, tre emra të njohur të botës së krimit – Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi – ishin vendosur në sektorin e njëjtë dhe në dhoma ngjitur, gjë që bie në kundërshtim me protokollet për ndarjen e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë.
Në kuadër të këtij aksioni, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer edhe ndryshime në drejtimin e disa institucioneve. Altin Agon është emëruar në krye të IEVP Peqin, ndërsa Qazim Hoxha do të drejtojë IEVP Elbasan.
Kontrollet dhe ndryshimet në administratë konsiderohen pjesë e një procesi pastrimi dhe rikthimi të disiplinës në sistemin penitenciar.