Aksion te stadiumi “Air Albania”, IKMT zbarkon për lirimin e hapësirave publike

Pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i shoqëruar nga policia bashkiake dhe Policia e Shtetit, ndërhyri për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjektet private.

Operacioni nisi pas një paralajmërimi të bërë më herët gjatë ditës nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale. Mjetet e IKMT-së kanë rrethuar zonën përreth stadiumit, ku ndodhen lokale dhe restorante që, sipas autoriteteve, kanë shkelur hapësirat publike duke vendosur karrige, tavolina dhe struktura të tjera në trotuare apo zona publike të bllokuara.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë forca të shumta sigurie dhe punonjës të IKMT duke vendosur shirita sigurie dhe përgatitur për largimin e strukturave të palejuara.

Operacioni është pjesë e fushatës së ndërhyrjeve në Tiranë për kthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve, një nisëm që duket se do të vijojë në ditët në vijim.