
Aksioni i IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit kulmoi sot me shembjen e banesës së fundit, mes tensioneve të forta mes banorëve, policisë dhe IKMT-së.
Fadromat mbërritën në objektin që ishte planifikuar për prishje, por banorët kundërshtuan ndërhyrjen duke kërkuar vendim gjykate për legalitetin e aktit.
Fillimisht, banorët bllokuan rrugën, u ulën në asfalt dhe penguan kalimin e mjeteve të IKMT-së. Më pas, familjarët u futën në banesë duke u ngujuar brenda për të ndaluar prishjen.
Policia ndërhyri duke krijuar kordon sigurie, dhe pas disa orësh përplasje dhe tension, banesa u shemb me forcë, duke shënuar fundin e aksionit në këtë fazë.
Banorët e zonës vazhdojnë të denoncojnë ndërhyrjen si të padrejtë dhe pa transparencë ligjore, ndërsa autoritetet insistojnë se ndërhyrja është pjesë e ligjit për mbrojtjen e zonave natyrore dhe turistike.