Skema e mashtrimit te “Bankers”: Drejtues me pagë 1 milion € ndërsa kompania s’ka paguar tatim-fitimin për 20 vite aktivitet

Skema e mashtrimit, drejtuesit e “Bankers” me pagë 1 milion euro

Prokuroria e Fierit ka nisur hetim penal ndaj kompanisë konçensionare “Bankers Petroleum”, për një skemë të dyshuar mashtrimi financiar që ka shmangur pagesën e detyrimeve tatimore ndaj shtetit shqiptar për mbi 20 vite aktivitet në vend.

Sipas hetimeve paraprake, kompania ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme kapital negativ, duke raportuar shpenzime më të larta se të ardhurat, çka e ka shpëtuar nga pagesa e tatim-fitimit.

Një nga pikat kyçe të skemës dyshohet të jetë deklarimi i faturave të fryra për çdo lloj shpenzimi, duke përfshirë edhe pagesat ndaj nënkontraktorëve me fatura të pajustifikuara. Ekspertët fiskalë besojnë se kjo është bërë për të shmangur qëllimisht rezultimin me fitim, pasi nëse kompania do të dilte me fitim neto, ligji parashikonte që ai të ndahej në mënyrë të barabartë me shtetin shqiptar.

Por ajo që ka ngritur më shumë dyshime është paga e deklaruar prej 1 milion euro në vit për drejtorin e përgjithshëm të kompanisë. Sipas ekspertit fiskal Edvin Stefani, kjo pagë është përdorur si një mjet për të kanalizuar paratë drejt pronarëve përfitues në kontinentin aziatik, përmes mekanizmave të ligjshëm por të diskutueshëm moralish dhe financiarisht.

“Drejtori kishte një pagë vjetore 1 milion euro. Duket sikur nëpërmjet pagës janë kanalizuar paratë e pasurisë së shqiptarëve drejt pronarëve përfitues, që janë në kontinentin aziatik. Kjo është shumë e vështirë për administratën tatimore për t’u kontestuar,” – tha Stefani.

Ndër vite, kompania ka ndryshuar vazhdimisht strukturën drejtuese dhe teknike, duke mbajtur pozicione me paga të majme për drejtues të huaj dhe shqiptarë. Të gjitha këto elemente përforcojnë dyshimin e Prokurorisë se kemi të bëjmë me një skemë të organizuar për shmangie tatimore në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar.

Hetimet vijojnë ndërsa pritet që Prokuroria e Fierit të kërkojë edhe bashkëpunim ndërkombëtar për të gjurmuar transfertat financiare dhe përfituesit realë të kësaj skeme.