
Pas ankesave të banorëve, një zonë publike në lagjen “Rilindja” e kthyer në parkim të paligjshëm, u lirua nga Policia e Vlorës dhe IMT e Bashkisë, duke rikthyer aksesin për komunitetin.
Ndërkohë, në kuadër të sezonit turistik dhe fluksit në rritje të qarkullimit, strukturat e DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë kanë shtuar kontrollet në zonat urbane dhe turistike, si “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali” dhe “Lungomare”.
Gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur dhjetëra masa administrative dhe janë larguar me karrotrec automjete që bllokonin trotuare dhe rrugëkalime për këmbësorët.
Autoritetet paralajmërojnë: Parkimi i gabuar do të ndëshkohet me gjoba, tërheqje mjeti dhe deri në ndjekje penale për pengim të qarkullimit (neni 293 i Kodit Penal). Kontrollet do të vijojnë çdo ditë për të garantuar rend, siguri dhe lëvizje të lirë për qytetarët