Shkodër – Asgjësohen gati 3000 bimë kanabisi, procedohen dy roje mjedisi për shpërdorim detyre

Një tjetër operacion antidrogë u zhvillua në qarkun e Shkodrës, ku policia ka identifikuar dhe asgjësuar 2943 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa, të kultivuara në zona të thella malore në njësitë administrative Pult, Shosh, Kastrat, Gruemirë, Temal, Shllak, Luf-Qerret dhe Gjegjan.

Pjesa më e madhe e bimëve u gjet në Malësinë e Madhe, me 1631 bimë të zbuluara në Kastrat dhe Gruemirë, si dhe 735 bimë në Pult dhe Shosh. Bimë të tjera u identifikuan në Vau Dejës dhe Pukë.

Dy roje mjedisi, shtetasit V. P. dhe A. K., janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, pasi nuk raportuan kultivimet në zonat që kishin për detyrë të mbikëqyrnin.

Policia e Shkodrës vijon kontrollet intensive në terren dhe bën apel për bashkëpunim nga qytetarët, për të parandaluar dhe goditur rastet e kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike.