
Një ngjarje e pazakontë është zbuluar nga Policia e Kavajës, ku një 28-vjeçar ka inskenuar rrëmbimin e vet për të mashtruar babain dhe për të përfituar para në mënyrë të paligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë Lubjan Camema, 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe Bernard Kiptiu, 45 vjeç, banues në Durrës, të dy të dyshuar për mashtrim në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Lubjan Camema i kishte thënë babait të tij, shtetasit B. C., se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Për ta bërë historinë më bindëse, bashkëpunëtori i tij, Bernard Kiptiu, u paraqit në lagjen nr. 16 të Durrësit, ku u kap në flagrancë nga Policia teksa i kërkonte paratë babait, me pretekstin se ato do të përdoreshin për lirimin e të “rrëmbyerit”.
Dy të arrestuarit tani përballen me akuzën e “Mashtrimit në bashkëpunim”, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur nëse janë përfshirë në skema të tjera të ngjashme.