Dhërmi – Skafisti ndot detin dhe shkel perimetrin e sigurisë, procedohet penalisht dhe gjobitet subjekti me 100 mijë lekë

Një skaf pranë bregut në Dhërmi u lokalizua nga Policia Kufitare pas denoncimit se po hidhte mbeturina në det dhe po qëndronte në zonën e ndaluar për mjete lundruese, duke rrezikuar pushuesit.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndërhynë menjëherë, duke gjobitur me 100 000 lekë subjektin tregtar që kishte në pronësi skafin, për shkelje të nenit 24/c të ligjit nr. 43/2020 mbi aktivitetet jashtë zonave të lejuara.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, 25-vjeçari G. I., u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, pasi gjatë pastrimit të mjetit hodhi mbeturina në det.

Policia apelon për respektimin e perimetrit të sigurisë ujore dhe ndalon çdo sjellje që rrezikon mjedisin apo sigurinë publike.

Denonco çdo shkelje në numrin 112 – reagimi është i menjëhershëm!