Dënohen për “spiunazh financiar” në Londër – Vëlla e motër shqiptarë përfitojnë 1 milion paund nga tregtia e paligjshme me aksione

Redinel dhe Oerta Korfuzi, vëlla e motër me origjinë nga Shqipëria, janë dënuar nga Gjykata e Londrës për tregti të paligjshme me informacione të brendshme dhe pastrim parash, duke përfituar afro 1 milion paund nga shitblerje aksionesh në mënyrë të paligjshme.

Redinel Korfuzi, 38 vjeç, lindur në Tiranë dhe ish-analist financiar me një pagë vjetore prej 500,000 paund, u dënua me 6 vite burg, ndërsa motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeçe nga Dibra, mori 5 vite burg.

Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) u zbulua se Redineli kishte përdorur aksesin në të dhëna konfidenciale të 13 kompanive, përfshirë plane për ngritje kapitali dhe shitje të blloqeve të mëdha aksionesh. Ai ia kalonte informacionet motrës së tij, e cila kryente transaksione nga llogaritë e saj, duke shmangur autoritetet – por jo për shumë gjatë.

Gjyqi tre mujor përfundoi me një vendim fajësie nga juria, edhe pse të pandehurit e mohuan akuzën. Gjykatësi Alexander Milne tha se rasti ishte i qartë: “Kjo ishte lakmi dhe arrogancë. Ju menduat se ishit shumë të zgjuar për t’u kapur. Por veprimet tuaja lanë gjurmë digjitale që ju tradhtuan.”

Tregtitë ishin kryer nga llogari të ndryshme por me të njëjtën IP, çka zbuloi skemën. Gjatë dy viteve, ata kishin përfituar shuma të mëdha që nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.

Gjykata deklaroi se asnjëherë më nuk do t’u besohet të tregtojnë në tregjet financiare, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tyre të shndritshme, por të korruptuar.