
Një rrëfim tronditës dhe emocional nga një banore në Theth ka nxjerrë në pah përplasjen e thellë midis shpresave të ushqyera nga politika dhe realitetit të ashpër në terren.
Duke folur mes lotësh, ajo ka treguar se vetë Kryeministri Edi Rama e kishte nxitur që të sillte fëmijët nga emigracioni për të ndërtuar e investuar në zonën malore të Thethit. Ajo thotë se, të shtyrë nga kjo thirrje, familja kishte kthyer djemtë nga jashtë dhe kishte nisur ndërtimin e bujtinave, në përpjekje për të kontribuar në zhvillimin e turizmit lokal.
“Erdhi Edi Rama dhe më tha: ‘O Zef Bari, mblidhi djemtë e sillji në Shqipëri!’ Lanë emigracionin, erdhën, investuan. Djali im nisi ndërtimet, por një ditë erdhi policia dhe më tha se janë pa leje. I thashë: ‘Po vetë Rama më tha të ndërtoj’. Por nuk pyeti njeri…”, rrëfen ajo, e përlotur.
Banorja shprehu zhgënjimin e thellë që ka ndjerë kur i janë shembur ndërtimet, për të cilat sipas saj, kishte marrë premtim direkt nga Kryeministri.
“Kam ndërtuar në tokën e tim shoqi, në tokën e katragjyshit. Nuk kam zaptuar as trotuare, as Rana e Hedhurn. Vetë shteti më tha: ndërto e jeto këtu!”
Rrëfimi kulmon me një deklaratë të rëndë, ku ajo shpreh pendesën për votën e dhënë:
“E kam marrë pasaportizimin nga Tirana këtë vit dhe ia dhashë votën Edi Ramës. M’u thafshin dy duart që e kam futur atë votë në atë kuti. Si ma ktheu? Katër shtëpi na i kanë shembur!”
Çfarë po ndodh në Theth?
Prej ditësh, në Theth vijon operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje, bazuar në një urdhër të lëshuar nga vetë Kryeministri Rama. Ky veprim ka nxitur tensione të forta mes banorëve dhe autoriteteve, sidomos në prag të sezonit turistik.
Banorët i kanë kërkuar qeverisë që të shtyjë afatin e prishjeve, të hapë dialog dhe të mos shkatërrojë mundin e investimeve familjare. Në mungesë të një reagimi zyrtar, shumë prej tyre kanë paralajmëruar mbylljen totale të bujtinave si formë proteste.
Ndërkohë, ndërhyrjet e IKMT po vijojnë pa ndërprerje, mes kundërshtimeve të ashpra nga komuniteti lokal.