
Një incident i rëndë është regjistruar sot në Theth, ku forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijojnë aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje. Tensionet u përshkallëzuan kur persona ende të paidentifikuar hodhën një shishe me benzinë në drejtim të një fadrome të IKMT-së.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, ndërsa shishja goditi një urë aty pranë, duke shkaktuar dëme të pjesshme materiale.
Pas ngjarjes, situata u ndez nga përplasja verbale mes banorëve dhe shefit të IKMT-së, Fatmir Metaj, i cili reagoi me tone të ashpra:
“Nuk mund të hedhësh molotov dhe të vrasësh punonjësit e shtetit. Ke ndërtuar pa leje, je i paligjshëm. S’ka Zot që të ndalë shtetin.”
Përballë reagimit të banorëve të revoltuar, të cilët kërkuan shpjegime për veprimet ndaj pronave të tyre, Metaj theksoi se aksioni nuk ndalet:
“Jo me molotov, as me armë, nuk kthehet shteti mbrapa. Të jeni të bindur për këtë.”
Një banor i zonës iu drejtua me zemërim: “Molotovin e ke ti për popullin!”, duke reflektuar pakënaqësinë dhe tensionin e lartë në vendngjarje.
Policia ndërhyri për të ruajtur rendin dhe ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e hedhjes së shishes me benzinë.
Ndërkohë, operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit vazhdon, nën masa të shtuara sigurie.