SPAK zbardh skandalin: Kryepolici Erjon Dani shiste të dhënat e TIMS dhe blinte drejtësinë për trafikantët me mijëra euro

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një nga skemat më të rënda të përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë në rrjete kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në qendër të hetimeve është ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Erjon Dani, i cili, sipas SPAK, ka bashkëpunuar me një grup trafikantësh droge, duke i furnizuar ata me të dhëna konfidenciale nga sistemi TIMS dhe duke ndërhyrë në drejtësi përmes ryshfeteve.

Gjatë kohës kur mbante postin e Shefit të Policisë Kriminale dhe Zv. Shef i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, Dani ka shpërdoruar detyrën duke i dhënë trafikantit K.M. të dhëna të ndjeshme nga sistemi TIMS, që ndihmonin në shmangien e ndjekjes nga autoritetet.

SPAK njofton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se gjatë vitit 2020, Erjon Dani, së bashku me të hetuarit M. Gj., K. M., S. M., V. R., dhe E. (alias M.) R., kanë kryer tre episode të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.

Në këto raste, personat nën hetim kanë ofruar dhe premtuar ryshfete për të ndikuar në vendimet e funksionarëve të drejtësisë, duke kërkuar zbutje të masave të sigurimit apo të dënimeve. Shumat e përfituara arrinin deri në 7,500 euro për një rast dhe 4,000 euro në dy të tjera.

Aktualisht, Erjon Dani ndodhet në arrati, ndërsa operacionet e shtrira në katër qarqe po vijojnë në kuadër të goditjes së rrjeteve kriminale me lidhje në Amerikën Latine dhe Bashkimin Europian.

Hetimet pritet të thellohen, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja dhe ndoshta edhe arrestime të tjera në radhët e ish-funksionarëve publikë.