Sarandë/ Të armatosur në “Porsche”, njëri tenton arratisjen duke u hedhur në det – Arrestohen 3 persona, një në kërkim për vepra të rënda

Një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje është goditur nga Policia e Sarandës në kuadër të operacionit të koduar “Diving”, zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Tre persona që udhëtonin në një automjet luksoz tip “Porsche” u ndaluan nga shërbimet e Policisë, ndërsa njëri prej tyre tentoi të fshihte armën e zjarrit duke u hedhur në det me çantën në dorë.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 1 të qytetit, në rrugën “Butrinti”, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas informacioneve operative dhe masave të shtuara për sezonin turistik, ndaluan automjetin luksoz për kontroll. Gjatë këtij momenti, shtetasi E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, doli nga makina dhe u hodh në det me qëllim t’i shpëtonte ndalimit, duke marrë me vete çantën ku mbante armën.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë dhe asistencës së mjetit lundrues të Policisë Kufitare, u bë e mundur kapja e tij në ujë, si dhe më pas gjetja e çantës së hedhur, brenda së cilës ndodhej arma e zjarrit (pistoletë) dhe 16 fishekë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:

  • E. D., 27 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
  • I. G., 21 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
  • E. C., 27 vjeç, për të njëjtat vepra penale, i cili rezultoi gjithashtu në kërkim për vepra të mëparshme, konkretisht për “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, 16 fishekë luftarak dhe automjetin luksoz tip “Porsche”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme procedurale